Kambovski: Këshilli Gjyqësor aktualisht po bën projeksionet e buxhetit për vitin e ardhshëm,pajtohem me kryeministrin se duhet të dimë çfarë duam që buxheti qendror të mund të ndajë mjetet e nevojshme
- Këshilli Gjyqësor aktualisht po bën projeksione të buxhetit për vitin e ardhshëm me plane për punësim dhe revizion të të gjitha gjykatave, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, dhe shtoi se buxheti për vitin e ardhshëm është tashmë në fazën përfundimtare dhe se ndryshimi në krahasim me vitin e kaluar do të jetë tek punësimet e reja të planifikuara, ndërsa burimet, si investimet kapitale, riparimi i ndërtesave gjyqësore, furnizimi me pajisje etj., planifikohen çdo vit.
Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Këshilli Gjyqësor aktualisht po bën projeksione të buxhetit për vitin e ardhshëm me plane për punësim dhe revizion të të gjitha gjykatave, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, dhe shtoi se buxheti për vitin e ardhshëm është tashmë në fazën përfundimtare dhe se ndryshimi në krahasim me vitin e kaluar do të jetë tek punësimet e reja të planifikuara, ndërsa burimet, si investimet kapitale, riparimi i ndërtesave gjyqësore, furnizimi me pajisje etj., planifikohen çdo vit.
I pyetur se si e komenton propozimin e kryeministrit Hristian Mickoski që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë të përgatisin një listë të asaj që u nevojitet nga financat dhe ta dorëzojnë, Kambovski tha se pajtohet me kryeministrin, se duhet të kenë një plan se cilat mjete u nevojiten.
"Absolutisht, pajtohem me kryeministrin. Ne duhet të kemi buxhet, që të dimë çfarë duam, në mënyrë që buxheti qendror të mund të ndajë mjetet që na nevojiten. Edhe nga deklaratat e tij, unë kuptoj se edhe ai pajtohet që të vazhdojmë kështu edhe më tej", deklaroi Kambovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para seancës së 532-të të Këshillit Gjyqësor.
Buxheti për vitin e ardhshëm, theksoi Kambovski, është tashmë në fazën përfundimtare ose i përgatitur dhe theksoi se po bëhen plane për të punësuar numrin minimal të njerëzve të nevojshëm në gjykata.
Sa i përket deklaratës se kryetarët e gjykatave marrin pagë prej 180 mijë denarësh, Kambovski thotë se nuk ekziston një pagë e tillë në shtet.
"Gjykatësi në gjykatën themelore me kompetencë themelore ka pagë neto prej 86.623 denarësh, me kompetencë të zgjeruar 89.346 denarë, kryetar i gjykatës themelore 99.112 denarë. Këto janë pagat për gjykatat themelore. Në Gjykatën e lartë, gjykatësi merr 105.000 denarë, kryetari 114.000 denarë. Këto paga që po përmend janë bazike, mbi këto paga shtohet, natyrisht, stazhi i kaluar", deklaroi Kambovski.
Paga mesatare e paguar në vitin 2024 për gjyqtarët në Gjykatën e lartë, ku është përfshirë stazhi i kaluar, sipas Kambovskit është 197.000 denarë paga mesatare bruto, ndërsa 128.000 denarë paga mesatare neto.
"Paga më e lartë për vitin 2024 brenda gjithë sistemit gjyqësor në të gjitha instancat. Paga më e madhe e paguar për një gjyqtar në vitin 2024 ishte 214.000 denarë bruto, 139.738 denarë neto. Kjo ishte paga më e lartë që dikush ka marrë", deklaroi Kambovski.
Në këto paga, Kambovski theksoi se nuk janë përfshirë shtesat për konfidencialitet dhe për rrezik gjatë punës, sepse, siç tha, këto shtesa nuk merren çdo muaj. "Si ka para në buxhet, ashtu i marrim. Për shembull, një muaj shtesa është pesë për qind, pastaj tre muaj nuk ka, pastaj bëhet shtatë për qind, pastaj përsëri pesë për qind, pastaj dhjetë për qind. Megjithatë, këto nuk janë të ardhura që gjyqtarët i marrin rregullisht", sqaroi Kambovski.
I pyetur se si janë pagat e gjyqtarëve krahasuar me vendet e tjera, Kambovski tha se ne mbetemi prapa në krahasim me vendet fqinje. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s